Shtime, 10 korrik 2026- Komisioni Komunal për monitorimin dhe përkujdesjen e fushatës së korrje-shirjeve në Komunën e Shtimes po vazhdon vizitat në terren, në kuadër të përmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive për mbikëqyrjen e ecurisë së kësaj fushate.
Kryetari i Komisionit, Bajram Gashi, ka bërë të ditur se monitorimi po zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme me qëllim të përcjelljes nga afër të punimeve në terren, bashkëbisedimit me fermerët dhe pronarët e autokombanjave, si dhe sensibilizimit të tyre për zbatimin e masave të sigurisë.
“Qëllimi ynë është të sigurojmë një fushatë të suksesshme dhe të sigurt të korrje-shirjeve, me sa më pak humbje dhe me zero aksidente. Për këtë arsye, monitorimi do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të fushatës dhe qytetarët do të informohen rregullisht për zhvillimet në terren”, tha Gashi.
Sipas të dhënave të deritanishme, fushata e korrje-shirjeve është në një fazë intensive dhe po zhvillohet sipas planifikimit. Deri më tani janë korrur 279 hektarë me grurë dhe 60 ari me elb, ndërsa në territorin e Komunës së Shtimes janë të angazhuara 47 autokombanja.
Gjithashtu, sipas informacioneve të marra nga fermerët dhe pronarët e autokombanjave, edhe këtë vit rendimenti dhe cilësia e grurit paraqiten në nivele shumë të mira. Rendimenti mesatar sillet nga 5.000 deri në 6.000 kilogramë për hektar, rezultat i përmirësimit të praktikave agroteknike dhe kushteve të favorshme klimatike.
Komisioni Komunal do të vazhdojë monitorimin e pandërprerë të fushatës deri në përfundimin e saj, duke i kushtuar rëndësi të veçantë respektimit të masave të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit të korrje-shirjeve në të gjithë territorin e Komunës së Shtimes.