Shtime, 5 qershor 2026- Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, priti në një takim të moshuarin Hasan Ndrecaj nga komuna jonë, të cilin e nderoi me mirënjohje për kontributin e tij shumëvjeçar në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e vlerave folklorike dhe etnologjike të vendit tonë.
Gjatë takimit, kryetari Aliu, tha se ruajtja dhe kultivimi i vlerave tona historike, kulturore dhe folklorike është një mision i rëndësishëm për çdo shoqëri që synon të ruajë identitetin e saj.
“Trashëgimia kulturore është pasuria jonë shpirtërore dhe kombëtare. Falë njerëzve të përkushtuar si Hasan Ndrecaj, vlerat tona autentike janë ruajtur dhe janë përcjellë te gjeneratat e reja. Institucionet kanë për detyrë të vlerësojnë dhe të mbështesin ata që me punën e tyre kontribuojnë në mbrojtjen e identitetit dhe kujtesës sonë kombëtare”, tha kryetari Aliu.
Nga ana e tij, Hasan Ndrecaj falënderoi kryetarin Aliu për këtë vlerësim, duke thënë se një mirënjohje e tillë është nder i veçantë pët të, që për dekada u angazhua në ruajtjen e traditave dhe vlerave kulturore.
Me përkushtimin e tij ndër vite, Hasan Ndrecaj ka dhënë një kontribut të çmuar në pasurimin e trashëgimisë sonë kulturore, duke ruajtur dhe përcjellë ndër breza zakonet, traditat dhe elementet e tjera të kulturës sonë popullore.