Shtime, 21 prill 2026- Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, ka pritur në një takim drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, Imer Hakaj, së bashku me ekipin e tij.
Gjatë këtij takimi u diskutua për ecurinë e projekteve aktuale që janë duke u realizuar në komunën e Shtimes, si dhe për planet dhe iniciativat e reja me rëndësi të veçantë historike e kombëtare.
Kryetari Aliu së bashku me drejtorin Hakaj dhe bashkëpunëtorët e tyre vizituan nga afër punimet që po zhvillohen në rregullimin e varrezave të dëshmorëve.
Ky projekt pritet të përfundojë dhe të përurohet në Ditën e Dëshmorëve të Komunës, ndërsa brenda pak muajve është planifikuar edhe fillimi i fazës së dytë, e cila parasheh rregullimin e varrezave të veteranëve.
“Hapësirat e kujtesës sonë kolektive do të jenë gjithmonë në qendër të qeverisjes sonë”, tha kryetari Aliu, duke theksuar përkushtimin institucional për ruajtjen dhe dinjitetin e këtyre vendeve me vlerë të veçantë.
Nga ana tjetër, drejtori i AMMKM-së, Imer Hakaj, vlerësoi bashkëpunimin me Komunën e Shtimes, duke theksuar se Kompleksi Memorial i Dëshmorëve, falë këtij koordinimi të ngushtë, po merr formë të dinjitetshme si një thesar i përhershëm shtetëror, në përputhje me sakrificën dhe kontributin e dëshmorëve të lirisë.
“Bashkë me stafin e Agjencisë ishim te miku ynë, Kryetari i Komunës së Shtimës, Qemajl Aliu, për punë të mira dhe në nderim të dëshmorëve të lirisë, si dhe për të parë nga afër punimet në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve”, tha drejtori Hakaj.