Shtime, 18 prill 2026- Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, priti në një takim të veçantë personalitete të shquara të artit, kulturës dhe çështjes kombëtare. Në mesin e tyre ishte edhe veprimtari i njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Prof. Mhill Velaj. Në takim ishin edhe Lekë Musolli, Mikel Gojani, Vilson Culaj dhe Bekim Kelmendi.
Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari Aliu vlerësoi lart kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë, duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në rrugëtimin historik drejt lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Ai u shpreh se ky takim ishte një moment i rëndësishëm reflektimi dhe mirënjohjeje për angazhimin e vazhdueshëm të bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit. Në veçanti, ai theksoi se Prof. Velaj, si ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë si dhe anëtar i shoqatës mbarëkombëtare “VATRA”, mbetet një zë i fuqishëm dhe i palodhur i diasporës shqiptare.
Në shenjë respekti dhe vlerësimi për veprimtarinë e tij në shërbim të çështjes kombëtare, si dhe për kontributin në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare përmes “VATRA”-s në New York, në emër të Komunës së Shtimes, Kryetari Aliu i ndau Prof. Velaj një Mirënjohje.
Pas përfundimit të takimit, delegacioni vizitoi Kompleksi Memorial i Masakrës në Reçak, ku bënë homazhe dhe nderuan kujtimin e martirëve të rënë për lirinë e Kosovës.