Shtime, 9 prill 2026- Në një ceremoni zyrtare, në prani të përfaqësuesve institucionalë dhe sportivë, në Komunën e Shtimes është inauguruar fillimi i punimeve për ndërtimin e një kompleksi modern me dy fusha tenisi.
Ky projekt, me vlerë rreth 200 mijë euro, synon të përmirësojë infrastrukturën sportive dhe të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e sportit dhe promovimin e jetës së shëndetshme.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i komunës, dr. Qemajl Aliu dhe Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional për realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe fuqizimin e rinisë.
Ministri Gashani tha se ky investim ka një rëndësi që tejkalon aspektin financiar, duke nënvizuar përkushtimin e përbashkët për ndërtimin e infrastrukturës sportive në shërbim të të rinjve dhe komunitetit.
“Po inaugurojmë fillimin e punimeve për këtë kompleks të dy fushave të tenisit. Vlera është rreth 200 mijë euro, por rëndësia është shumë më e madhe. Këto projekte dëshmojnë përkushtimin tonë për të krijuar kushte për potencialin e madh të rinisë dhe për të zbuluar talentet e reja”, tha ministri Gashani.
Nga ana tjetër, kryetari Aliu theksoi se ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, Komunës së Shtimes dhe Federatës së Tenisit. Ai veçoi edhe talentin e ri lokal, Anisa Ismajli, si shembull i potencialit që do të mbështetet përmes kësaj infrastrukture.
“Këto fusha do të jenë në shërbim si të Anisës, por edhe të çdo talenti dhe sportdashësi. Ky është një investim që i shërben të rinjve dhe çdo qytetari”, tha kryetari Aliu.
Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi edhe takime pune, ku u diskutua për projekte të tjera zhvillimore në fushën e sportit, përfshirë ndërtimin e Qendrës së Hendbollit, krijimin e terreneve të reja dhe standardizimin e atyre ekzistuese. Po ashtu, u vizituan Stadiumi i Qytetit dhe zona e “Kodrës së Rinisë”, ku është planifikuar ndërtimi i një ballkoni panoramik me qëllim pasurimin e ofertës turistike.
Punimet për kompleksin e tenisit pritet të përfundojnë brenda këtij viti, ndërsa ai do të jetë në funksion për sportistët dhe qytetarët deri në fund të vjeshtës.