Shtime, 26 qershor 2026- Kuvendi i Komunës së Shtimes ka mbajtur sot mbledhjen e pestë të rregullt për vitin 2026, të udhëhequr nga kryesuesi i Kuvendit, Rrahman Jakupi.
Pas miratimit të procesverbalit nga mbledhja paraprake, seanca vazhdoi me pikën e pyetjeve dhe përgjigjeve.
Në vijim, Kuvendi shqyrtoi propozim-vendimin për zëvendësimin e anëtares së Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF), Yllkë Fejzullahu. Me votim unanim, anëtare e re e këtij komiteti u zgjodh Adelina Shabani.
Asambleistët më pas trajtuan pikën për rishqyrtimin e Vendimit nr. 01/74, të datës 30.04.2026, për rizgjedhjen e Komitetit për Komunitete (KPK), në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Një ndër pikat e rëndësishme të rendit të ditës ishte edhe Draft-Korniza Afatmesme Buxhetore 2027-2029, e cila paraprakisht kishte kaluar procesin e konsultimit publik. Pas diskutimeve, kjo kornizë u miratua me shumicë votash nga anëtarët e Kuvendit.
Gjatë seancës, nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, prezantoi raportin e përgjithshëm gjashtëmujor të ekzekutivit komunal për vitin 2026, duke paraqitur aktivitetet dhe rezultatet e realizuara gjatë kësaj periudhe.
Ndërkaq, sqarimet lidhur me Planin e Veprimit për implementimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit i dha zyrtari kryesor financiar, Bujar Ferati.
Po ashtu, Kuvendi i dha mbështetje Draft-Planit Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave për rajonet e Gjilanit dhe Ferizajt, i hartuar në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).
Në fund të seancës, asambleistët miratuan edhe një pikë shtesë të rendit të ditës, atë të Draft-Programit Trevjeçar për Banimin Social 2026-2028 për Komunën e Shtimes. Ky dokument do t’i nënshtrohet fillimisht procesit të diskutimit publik, me qëllim përfshirjen e qytetarëve dhe palëve të interesit në finalizimin e tij.