Shtime, 26 maj 2025- Në një atmosferë festive, sot në Shtëpinë e Kulturës në Shtime u mbajt ceremonia solemne e diplomimit të maturantëve të gjeneratës 2024/2025.
Të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme për të rinjtë e komunës ishin nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa, udhëheqësi i sektorit të arsimit Lulzim Sahiti, mësimdhënës, prindër dhe qytetarë të shumtë.
Në emër të komunës, nënkryetari Faruk Beqa përshëndeti të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen për punën dhe angazhimin e maturantëve gjatë këtyre viteve shkollore.
“Maturantët e sotëm janë liderët e së nesërmes; puna dhe përkushtimi i tyre janë investimi më i sigurt për zhvillimin e vendit tonë. Ju jeni krenaria jonë dhe shpresa për të ardhmen”, tha nënkryetari Beqa.
Ndërsa, udhëheqësi i sektorit të arsimit në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti, vlerësoi kontributin e mësimdhënësve dhe përkrahjen e familjeve në rrugëtimin arsimor të nxënësve, duke u bërë thirrje maturantëve që të ndjekin ëndrrat e tyre me guxim dhe përkushtim.
Po këtë ditë, Gjimnazi “Naim Frashëri” në Shtime shënoi edhe Ditën e Shkollës, me këtë rast drejtori i gjimnazit Rexhep Hasani, uroi maturantët për përfundimin e suksesshëm të shkollimit dhe i falënderoi mësimdhënësit për përkushtimin e treguar gjatë gjithë vitit shkollor. Ai theksoi se kjo gjeneratë ka dëshmuar vlera dhe përkushtim të lartë, duke e bërë edhe shkollën krenare.
Për të gjithë maturantët u shpërndanë diplomat, ndërsa mësimdhënësit e dalluar u nderuan me mirënjohje për kontributin e tyre. Në fund të ceremonisë, të gjithë maturantët hodhën kapelat si simbol i përfundimit të shkollës së mesme. Ngjarja u shoqërua me një program të pasur kulturo-artistik që i dha një atmosferë të veçantë festës së diplomimit.