Shtime, 14 tetor 2026- Është mbajtur sot konsultimi publik për draft-dokumentin për vlerësimin e rrezikshmërisë nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera në Komunën e Shtimes për vitin 2026.
Draft-dokumentin para të pranishmëve e prezantoi Skender Dauti nga Zyra për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Shtimes, i cili tha se ky dokument përmban analizën e territorit të komunës, identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve, të dhënat për popullsinë dhe infrastrukturën, kapacitetet për reagim, zonat e cenueshme, matricën e rrezikut, si dhe vlerësimet dhe skenarët për fatkeqësitë e mundshme.
Sipas Dautit, në këtë dokument janë trajtuar rreziqet nga vërshimet, tërmetet, rrëshqitjet e dheut dhe erozioni, reshjet e borës dhe ngricat, breshëri, erërat e fuqishme dhe stuhitë, mungesa e reshjeve, epidemitë dhe pandemitë, si dhe fatkeqësitë e tjera që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, pronën dhe infrastrukturën.
Të pranishmit vlerësuan rëndësinë e hartimit të një dokumenti të tillë për identifikimin dhe parandalimin e rreziqeve, si dhe për përgatitjen dhe reagimin sa më efektiv në rastet e fatkeqësive. Gjatë konsultimit, qytetarët paraqitën edhe sugjerimet dhe rekomandimet e tyre lidhur me draft-dokumentin, me qëllim të përmirësimit dhe plotësimit të tij.