Shtime, 29 qershor 2026- Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) mbajti sot mbledhjen e tretë të rregullt për këtë vit, e cila u kryesua nga nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi.
Në këtë mbledhje, komandanti i Stacionit Policor në Shtime, Haxhi Behluli, paraqiti raportin mbi gjendjen e sigurisë në komunë për periudhën raportuese. Sipas tij, situata e përgjithshme e sigurisë vazhdon të jetë stabile dhe pa incidente të rënda, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe ofrimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët.
Më pas, Bajram Gashi nga Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Komunën e Shtimes paraqiti raportin gjashtëmujor të punës. Ai bëri të ditur se, ashtu si në vitet paraprake, edhe gjatë kësaj periudhe është ngritur niveli i gatishmërisë reaguese në shkallën më të lartë, duke siguruar gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur në mënyrë të shpejtë dhe efikase çdo situate emergjente që kërkon ndërhyrje.
Gjatë mbledhjes, edhe shefi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, prezantoi raportin gjashtëmujor për fushën e arsimit, duke paraqitur në mënyrë të detajuar aktivitetet e realizuara, gjendjen aktuale dhe angazhimet e institucionit në funksion të mbarëvajtjes së procesit edukativo-arsimor në komunë.
Në vijim të mbledhjes, anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi zhvilluan diskutime lidhur me çështje të ndryshme që prekin sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Gjithashtu, u paraqitën edhe rekomandime, të cilat do t’u përcillen drejtorive përkatëse komunale për shqyrtim dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.