Shtime, 26 qershor 2026– Në tri qendra të testimit në Komunën e Shtimes, sot është zhvilluar Testi i Arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta, duke shënuar një nga proceset më të rëndësishme të vlerësimit në përfundim të arsimit të mesëm të ulët.
Në këtë testim kanë marrë pjesë gjithsej 332 nxënës nga shkollat e komunës, të cilët iu nënshtruan vlerësimit të njohurive dhe kompetencave të fituara gjatë viteve të shkollimit.
Drejtoria e Arsimit në Komunën e Shtimes, kishte bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për organizimin e procesit, me qëllim që testimi të zhvillohej në kushte sa më të mira dhe sipas standardeve të përcaktuara. Falë angazhimit të stafit administrues dhe bashkëpunimit të të gjitha palëve të përfshira, procesi ka vijuar pa pengesa dhe në një atmosferë të rregullt pune.
Udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, vlerësoi se Testi i Arritshmërisë paraqet një mekanizëm të rëndësishëm për matjen e nivelit të njohurive, shkathtësive dhe kompetencave të nxënësve, të fituara gjatë arsimit të mesëm të ulët. Ai theksoi se ky test përbën një hap të rëndësishëm në rrugëtimin arsimor të secilit nxënës dhe shërben si tregues i përgatitjes së tyre për vazhdimin e arsimit të mesëm të lartë.
Me këtë rast, Sahiti u ka uruar të gjithë nxënësve suksese dhe rezultate sa më të mira, duke i inkurajuar ata që me vetëbesim të dëshmojnë njohuritë e fituara gjatë viteve të shkollimit. Njëkohësisht, ai ka shprehur mirënjohje për administruesit e testit, drejtorët e shkollave dhe stafin arsimor për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë organizimit dhe realizimit të këtij procesi të rëndësishëm.