Shtime, 20 qershor 2026 – Në dy qendra të testimit, përkatësisht në ambientet e Shkollës së Mesme të Ulët “Emin Duraku” dhe në Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Shtime, është mbajtur Testi i Maturës Shtetërore 2026. Në afatin e parë të këtij procesi, nga Komuna e Shtimes testit të maturës i janë nënshtruar gjithsej 239 nxënës, të cilët kanë qenë të shpërndarë në dy qendra të testimit.
Procesi i organizimit dhe zhvillimit të testimit është realizuar sipas planifikimeve të përcaktuara, ndërsa mbarëvajtja e tij është mbikëqyrur nga administrues të angazhuar nga Komuna e Ferizajt, si dhe nga anëtarë të komisionit përkatës nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Gjatë gjithë procesit është synuar krijimi i kushteve të barabarta dhe një ambienti të përshtatshëm për të gjithë kandidatët.
Testi i Maturës Shtetërore është zhvilluar brenda një dite të vetme për të gjithë maturantët dhe ka përfshirë gjithsej 100 kërkesa, të ndara në katër fusha kryesore. Kandidatët janë testuar në gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikë, si dhe në një lëndë zgjedhore të përcaktuar nga vetë nxënësi/ja, me nga 25 kërkesa për secilën lëndë.
Udhëheqësi i Sektorit të Arsimit në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti, ka vlerësuar se organizimi i këtij procesi është një përgjegjësi e rëndësishme për institucionet arsimore dhe ka falënderuar të gjithë akterët e përfshirë në realizimin e tij.
“Testi i Maturës Shtetërore është një moment i rëndësishëm në rrugëtimin arsimor të nxënësve tanë. Jemi angazhuar që maturantëve t’u ofrohen kushte sa më të mira për zhvillimin e testimit, duke siguruar një proces të rregullt, transparent dhe të organizuar. Urojmë që puna dhe përgatitja e tyre të shpërblehen me rezultate të suksesshme dhe të vazhdojnë me hapa të sigurt drejt studimeve dhe sfidave të reja,” ka deklaruar Sahiti.
Sipas koordinatorës komunale për organizimin e Testit të Maturës, Tringa Xhelili, rezultatet priten të publikohen më 29 qershor nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
