Shtime, 31 korrik 2026- Pas pritjes që kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, u organizoi bashkatdhetarëve, aktivitetet e manifestimit tradicional “Ditët e Bashkatdhetarëve”, i cili organizohet nën patronatin e tij, vazhduan me koncertin e parë festiv, të organizuar enkas për mërgatën dhe të gjithë qytetarët.
Atmosfera u ndez nga interpretimet e këngëtarit të mirënjohur Robert Berisha, i cili solli energji, emocione dhe festë, duke bërë që të pranishmit të këndonin, të vallëzonin dhe të shijonin një mbrëmje të mbushur me argëtim.
Qytetarë, bashkatdhetarë dhe mysafirë të shumtë u bënë pjesë e kësaj mbrëmjeje festive, e cila krijoi një atmosferë të veçantë dhe dëshmoi edhe një herë rëndësinë që kanë këto ditë për forcimin e lidhjeve ndërmjet mërgatës dhe vendlindjes.
Festimet vazhdojnë edhe sonte.
Ju mirëpresim nga ora 20:30, në të njëjtin vend, ku atmosferën do ta krijojë këngëtarja e mirënjohur Shkurte Fejza dhe këngëtari Korab Shaqiri, ndërsa mbrëmjes do t’i japë edhe më shumë madhështi Ansambli i Qytetit “Ilirida”, i cili do të sjellë para publikut valle dhe këngë të përzgjedhura nga tradita jonë kulturore.
Ju mirëpresim të festojmë së bashku!