Shtime, 25 qershor 2026- Në vazhdën e përkushtimit për zhvillimin e sportit dhe kulturës lokale, Komuna e Shtimes ka nënshkruar dhe dorëzuar marrëveshjet e subvencionimit me përfaqësuesit e fushës së kulturës dhe përfaqësuesit e klubeve sportive të komunës.
Me këtë rast, nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, tha se subvencionet për këto fusha, ashtu si edhe për shumë sektorë të tjerë, po rriten nga viti në vit.
“Këto marrëveshje dëshmojnë përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur zhvillimin dhe suksesin e sportit dhe kulturës në komunën tonë. Arritjet e klubeve sportive dhe sukseset që vijnë nga fusha e kulturës janë motivim i fuqishëm që mbështetja institucionale të mos mungojë asnjëherë”, tha Ademi.
Ndërsa, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Sanije Sadiku, theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për klubet sportive dhe aktivitetet kulturore, duke vlerësuar angazhimin dhe rezultatet e arritura nga sportistët dhe krijuesit kulturorë të komunës. Ajo u shpreh se investimi në këto fusha krijon mundësi më të mira për zhvillimin e talenteve të rinj dhe pasurimin e jetës kulturore në Shtime.
Përmes këtyre subvencioneve synohet fuqizimi i aktiviteteve sportive dhe kulturore, si dhe krijimi i kushteve për arritje dhe suksese të reja në të ardhmen.