Shtime, 15 tetor 2026- Mbrëmë, në fshatin Vojnoc, është mbajtur takimi konsultativ me banorët për përcaktimin e lokacionit të objektit të ri shkollor të ShFMU-së “Lasgush Poradeci”, paralelja e ndarë në këtë fshat.
Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, të cilët bashkëbiseduan me banorët lidhur me rëndësinë e ndërtimit të objektit të ri shkollor dhe përcaktimin e lokacionit më të përshtatshëm për realizimin e këtij projekti.
Kryetari Aliu bëri të ditur se Komuna e Shtimes, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, do të nisë projektin për ndërtimin e objektit të ri shkollor, për të cilin ministria përkatëse ka ndarë një buxhet prej mbi 1.4 milion euro.
Ai theksoi se qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi dhe përcaktimi i lokacionit të përshtatshëm për ndërtimin e shkollës së re, pasi lokacioni aktual nuk i plotëson kushtet e nevojshme për realizimin e projektit të planifikuar.
Ndër arsyet kryesore për shqyrtimin e një lokacioni të ri u përmendën kufizimet që lidhen me afërsinë e objektit ekzistues shkollor me xhaminë e fshatit, e cila është pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojtur në Kosovë, si dhe kërkesat ligjore për distancën nga rrjedha e lumit që kalon nëpër parcelën aktuale të shkollës.
Nga ana e tyre, banorët e fshatit Vojnoc paraqitën propozimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me lokacionin e mundshëm të shkollës së re, duke kontribuar në diskutimin për gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme për këtë projekt me rëndësi për nxënësit dhe banorët.