Shtime, 11 qeshor 2026- Në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e 27 vjetorit të Çlirimit të Komunës së Shtimes, sot në ambientet e Bibliotekës së Qytetit u organizua një orë letrare nga Grupi Letrar “Dita” të Shtimes.
Ky aktivitet mblodhi dashamirës të fjalës së shkruar, poetë, krijues të talentuar, të cilët përmes vargjeve dhe krijimeve të tyre artistike sollën emocione, reflektime dhe mesazhe kushtuar lirisë, atdheut, sakrificës dhe vlerave kombëtare.
Ora letrare u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë kulturore dhe artistike, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e letërsisë dhe artit në ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike. Pjesëmarrësit interpretuan poezi dhe krijime të ndryshme, duke nderuar përmes fjalës artistike rrugëtimin e popullit tonë drejt lirisë.
Ky aktivitet ishte pjesë e agjendës së manifestimeve për shënimin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Komunës së Shtimes, të cilat po zhvillohen nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu.