Shtime, 13 prill 2026- Panairi i Teknologjisë, i mbajtur më 12 prill në Shtime dhe i organizuar nga Qendra Alfa Omega, përmblodhi me sukses një sërë aktivitetesh të dedikuara inovacionit dhe zhvillimit teknologjik te të rinjtë. Ky aktivitet shërbeu si një platformë prezantimi për nxënësit e shkollave të komunës, të cilët ekspozuan projekte kreative në fushën e shkencës dhe teknologjisë, duke përfshirë eksperimente praktike, robotikë, lojëra interaktive dhe zgjidhje inovative të realizuara nga vetë ata.
Panairi shënoi njëkohësisht edhe përmbylljen e Javës së Teknologjisë, e cila u karakterizua nga një program i larmishëm aktivitetesh edukative dhe praktike. Gjatë kësaj jave u zhvilluan laboratorë teknologjikë, gara në kodim, vizita studimore në Observatorin Kombëtar në Rashincë, si dhe një mbrëmje karriere e dedikuar orientimit të të rinjve. Në kuadër të panairit u realizua edhe një aktivitet i veçantë për vrojtimin e qiellit, në bashkëpunim me Astronomy Outreach of Kosovo.
Përmes këtyre aktiviteteve synohet të nxitet kureshtja shkencore, të forcohen aftësitë praktike dhe të promovohet orientimi i të rinjve drejt fushave të inovacionit dhe teknologjisë.