Shtime, 1 gusht 2026- Sot, në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, me nderime të larta u zhvillua ceremonia e varrimit të Isuf Qerim Hoxhës, i vrarë në njërën ndër masakrat më të rënda dhe më çnjerëzore të luftës së Kosovës, Masakrën e Burgut të Dubravës.
Pas më shumë se 27 vitesh pritjeje, Isuf Qerim Hoxha u përcoll në banesën e fundit, aty ku e meritonte, në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, mes nderimit dhe mirënjohjes së institucioneve, bashkëluftëtarëve, familjarëve dhe qytetarëve.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues institucionalë, veteranë, familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë, të cilët me nderim dhe respekt i dhanë lamtumirën e fundit.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, vlerësoi lart figurën dhe sakrificën e Isuf Qerim Hoxhës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe nderimit të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Me nderimet më të larta sot, iu dha lamtumira e fundit ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isuf Qerim Hoxha, i cili ra heroikisht në Masakrën e Burgut të Dubravës dhe u identifikua pas më shumë se dy dekadash. Bacë Isufi u kthye në shtëpi i mbuluar me lavdinë e përjetshme të flamurit kuq e zi dhe të emblemës së UÇK-së.
Në këtë ceremoni të varrimit, kujtuam me respekt jetën, sakrificën dhe kontributin e tij të çmuar për lirinë e Kosovës”, tha kryetari Aliu.
Ceremonia u përmbyll me homazhe dhe nderime pranë varrit të Isuf Qerim Hoxhës, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën, sakrificën dhe idealin e tij për lirinë e atdheut.