Shtime, 27 korrik 2026- Pas afro 35 vitesh shërbim të palodhur në administratën e Komunës së Shtimes, Idriz Mehmeti u nderua me një ceremoni simbolike në hollin e Kuvendit Komunal, të organizuar në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për rrugëtimin e tij profesional dhe kontributin e vyer që dha gjatë gjithë këtyre viteve.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, i cili vlerësoi lart rrugëtimin profesional të bacës Idriz, duke theksuar se ai, me punën, ndershmërinë, përgjegjësinë dhe karakterin e tij, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në administratën komunale. Kryetari Aliu u shpreh se njerëz si baca Idriz janë vlera e çdo institucioni, sepse ndërtojnë besim, kultivojnë respekt dhe lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që vijnë. Ai e falënderoi për shërbimin e gjatë e të ndershëm, duke i uruar shëndet, mbarësi dhe vite të qeta e të lumtura pranë familjes.
Me fjalë mirënjohjeje u drejtuan edhe kolegët e tij, të cilët ndanë kujtime nga vitet e shumta të punës së përbashkët. Ata e përshkruan bacën Idriz si një njeri të urtë, të devotshëm, korrekt dhe gjithmonë të gatshëm për të ofruar ndihmë e këshillë, duke theksuar se prania dhe kontributi i tij do të mbeten një kujtim i veçantë në administratën komunale.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Idriz Mehmeti u dallua për përkushtimin, ndershmërinë, përgjegjësinë dhe respektin e ndërsjellë, duke fituar vlerësimin e kolegëve dhe duke u bërë shembull i punës së ndershme, integritetit profesional dhe përkushtimit institucional.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, i ndau Idriz Mehmetit mirënjohje, si shenjë falënderimi dhe respekti për kontributin e tij të çmuar ndër vite.