Shtime, 30 prill 2026- Në kuadër të kujdesit parandalues dhe promovimit të shëndetit të fëmijëve, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime ka përmbyllur me sukses ciklin e vizitave sistematike për fëmijët parashkollorë dhe nxënësit e klasave të para.
Këto vizita u zhvilluan nga 15 deri më 29 prill 2026, gjatë së cilës periudhë u kontrolluan gjithsej 953 fëmijë.
Gjatë kontrolleve janë realizuar ekzaminime të përgjithshme mjekësore, përfshirë matjen e peshës, gjatësisë dhe ritmit të zemrës, si dhe vlerësimi i shikimit, dëgjimit dhe zhvillimit psikomotor. Po ashtu, është kushtuar rëndësi shëndetit oral dhe janë ofruar këshilla për higjienën e dhëmbëve, ushqyerjen e shëndetshme dhe stilin aktiv të jetesës.
Procesi është karakterizuar nga një pjesëmarrje e mirë e fëmijëve dhe bashkëpunim i suksesshëm me edukatorët, mësimdhënësit dhe prindërit.
Në raste të caktuara janë dhënë këshilla individuale për prindërit, ndërsa disa fëmijë janë rekomanduar për ndjekje të mëtejme apo konsultime shtesë tek specialistët, duke dëshmuar rëndësinë e këtyre vizitave për zbulimin dhe trajtimin e hershëm të problemeve shëndetësore.
Një vlerë të veçantë kësaj periudhe i dha edhe angazhimi i nxënësve parashkollorë të Shkollës Fillore “Emin Duraku” në Shtime, të cilët përgatitën një mesazh falënderues për profesionistët shëndetësorë, duke shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen e tyre.
QKMF “Dr. Vezir Bajrami” falënderon institucionet arsimore dhe prindërit për bashkëpunimin, si dhe ekipet mjekësore për përkushtimin e treguar në këtë proces.
Në këtë aktivitet kontribuuan drejtori dr. Ilaz Kadrijaj, kryeinfermierja Mervete Hasani, si dhe stafi mjekësor: Dr. Agon Hyseni, Dr. Fortesa Mehmeti, Dr. Qendrim Bajrami, Dr. Habibe Mujota, inf. Suzana Qorrolli, Sahadete Sopa, Gynyle Rexhaj, Shehrije Asllani, Dijana Kurtishi, Samire Qorrolli, Havushe Ramadani, Erinda Baftiu, Albana Xhelili, Zembajda Ademaj, Mevlide Tershani, Vjollca Salihaj dhe Igballe Hyseni.
Qendra do të vazhdojë organizimin e shërbimeve të tilla parësore me synimin që çdo fëmijë të ketë qasje në kujdesin e nevojshëm shëndetësor në kohën e duhur.