Shtime, 24 shtator 2026- Sot, në Komunën e Shtimes, janë përuruar edhe pesë shtëpi të reja për familje në nevojë, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Shtimes dhe shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Salihu Qeriqi, së bashku me përfaqësues të shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, kanë vizituar familjet përfituese dhe kanë dorëzuar shtëpitë e reja, duke u dhënë atyre mundësinë për të jetuar në kushte më të mira dhe më dinjitoze.
Drejtoresha Mimoza Salihu Qeriqi, tha se mbështetja për familjet në nevojë është një përgjegjësi e përbashkët dhe se bashkëpunimi me “Jetimat e Ballkanit” po sjell rezultate konkrete për qytetarët e Komunës së Shtimes.
“Këto shtëpi janë më shumë se një strehë, janë një mundësi për një fillim të ri dhe një jetë më të dinjitetshme për familjet përfituese”, tha drejtoresha Salihu-Qeriqi.
Pesë shtëpitë e përuruara sot nuk janë të vetmet që janë ndërtuar për familjet në nevojë në Komunën e Shtimes. Kjo është bërë e mundur falë marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Kryetarit të Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, dhe humanistit Halil Kastrati, nga shoqata “Jetimat e Ballkanit”.
Përmes këtij bashkëpunimi, Komuna e Shtimes dhe “Jetimat e Ballkanit” kanë vazhduar të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve në nevojë, duke e kthyer solidaritetin dhe humanizmin në mbështetje konkrete për qytetarët.