Shtime, 26 qershor 2026- Me rastin e 28 vjetorit të themelimit të Shtabit të Rancës, një nga pikat më të rëndësishme të organizimit dhe rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Komunën e Shtimes, u mbajt një aktivitet përkujtimor në nderim të këtij vendi me rëndësi të veçantë historike.
Në këtë ngjarje morën pjesë nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, drejtorë të ekzekutivit komunal, bashkëpunëtorë, përfaqësues të OVL-UÇK-së, Dega në Shtime, përfaqësues institucionalë, familjarë të dëshmorëve, veteranë të UÇK-së dhe qytetarë.
Gjatë aktivitetit u vlerësua roli i rëndësishëm që kishte Shtabi i Rancës, si shtabi i parë i UÇK-së në Komunën e Shtimes, pjesë e Zonës Operative të Nerodimës, i cili shërbeu si qendër e organizimit dhe koordinimit të veprimtarive çlirimtare në këtë rajon.
Nënkryetari i Komunës, Adnan Ademi, tha se përkujtimi i ngjarjeve dhe vendeve që lidhen me luftën çlirimtare është detyrim institucional dhe moral, duke nënvizuar se sakrifica e dëshmorëve dhe kontributi i luftëtarëve të lirisë mbeten themel i shtetndërtimit dhe i të ardhmes së vendit. Ai shtoi se ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë historike është përgjegjësi e përbashkët, në mënyrë që brezat e rinj të njohin dhe të vlerësojnë rrugën e mundimshme drejt lirisë.
Me këtë rast, të pranishmit panë nga afër edhe punimet që po zhvillohen në ndërtimin e murit mbrojtës dhe rrethimin e parcelës për parandalimin e rrëshqitjes së dheut, si dhe procesin e inventarizimit të Shtabit të Rancës, me qëllim të ruajtjes së kësaj pasurie me rëndësi historike e kombëtare.