Shtime, 31 korrik 2026- Aktivitetet e “Ditëve të Bashkatdhetarëve” vazhduan sot me organizimin e Panairit të Produkteve Bujqësore, i cili u mbajt në sheshin e qytetit “Ahmet Shtimja”.
Ky panair mblodhi fermerë, kultivues dhe prodhues vendorë, të cilët prezantuan me krenari prodhimet e tyre cilësore.
Për të parë nga afër produktet e ekspozuara dhe për të përshëndetur pjesëmarrësit, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, së bashku me drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, Sanije Sadiki.
Me këtë rast, kryetari Aliu theksoi se mbështetja e bujqësisë dhe promovimi i prodhimeve vendore mbeten ndër prioritetet e Komunës së Shtimes.
“Fermerët tanë janë shtylla e zhvillimit ekonomik lokal dhe puna e tyre meriton vlerësim e përkrahje të vazhdueshme. Këto aktivitete jo vetëm që promovojnë prodhimet vendore, por krijojnë edhe mundësi të reja bashkëpunimi dhe zhvillimi për sektorin e bujqësisë”, tha kryetari Aliu.
Gjatë panairit, fermerë dhe kultivues të ndryshëm prezantuan një gamë të gjerë të produkteve bujqësore, duke përfshirë pemë, perime, produkte bletarie, ushqime tradicionale dhe prodhime të tjera vendore, të cilat zgjuan interesim te vizitorët.