Shtime, 4 qershor 2026- Ka përfunduar restaurimi dhe funksionalizimi i plotë i Shtëpisë së Përshpirtshme në Shtime, një objekt me rëndësi të veçantë historike, arsimore dhe kulturore për qytetin dhe më gjerë.
E ndërtuar në vitin 1923, kjo ndërtesë ikonike, pas një procesi të kujdesshëm restaurimi, është rikthyer në shërbim të qytetarëve si hapësirë moderne për të rinjtë, artistët dhe aktivitetet kulturore e shoqërore.
Përurimi i punimeve u bë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, dhe ministrja Saranda Bogujevci.
Për më shumë se një shekull, Shtëpia e Përshpirtshme ka qenë e lidhur ngushtë me historinë e arsimit në Kosovë. Nga viti 1952 deri në vitin 1990, ajo shërbeu si shkollë për gjenerata të tëra nxënësish, derisa regjimi serb e mbylli me masa të dhunshme dhe dëboi nxënësit shqiptarë.
Me investimin prej rreth 800 mijë eurosh, objekti është restauruar dhe rigjallëruar, duke ruajtur vlerat e tij historike dhe duke i dhënë një funksion të ri në shërbim të komunitetit.
“Nëpërmjet restaurimit të saj, në vlerë rreth 800 mijë euro, edhe në Shtime sikurse gjithandej vendit, po investojmë në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe trashëgiminë që do t’ua lëmë brezave të ardhshëm. Kjo hapësirë do të jetë përsëri në shërbim të të rinjve, artistëve dhe komunitetit”, tha kryeministri Kurti.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, theksoi rëndësinë e këtij investimi për jetën kulturore dhe shoqërore të qytetit.
“Me një investim afro 800 mijë euro nga Ministria e Kulturës, ky objekt i ndërtuar në vitin 1923, është restauruar dhe funksionalizuar plotësisht. Bashkë me AKV “Ilirida”, hapëm dyert e një hapësire të re për rininë, kulturën dhe jetën shoqërore në Shtime”, tha kryetari Aliu.
Ndërsa ministrja Saranda Bogujevci vlerësoi se restaurimi i këtij objekti ka rikthyer jo vetëm funksionin, por edhe vlerën e tij të veçantë historike e kulturore.
“Përmes investimeve në restaurimin dhe rigjallërimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, po krijojmë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve anembanë vendit”, tha ministrja Bogujevci.
Funksionalizimi i Shtëpisë së Përshpirtshme përfaqëson një hap të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe në krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe artistike në qytetin tonë.