Shtime, 4 nëntor 2026- Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, së bashku me ekipin e tij, po qëndron për vizitë në Morbach të Gjermanisë, me ftesë të kryetarit të kësaj komune, Arianit Besiri, shqiptari i parë që mban këtë pozitë në Gjermani.
Gjatë kësaj vizite, kryetarët dr. Qemajl Aliu dhe Arianit Besiri nënshkruan Deklaratën e Përbashkët të Qëllimit për vendosjen e marrëdhënieve të partneritetit ndërmjet komunave të Shtimes dhe Morbachut, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të bashkëpunimit ndërmjet dy komunave.
Kryetari Aliu e vlerësoi këtë marrëveshje si një mundësi të re për thellimin e lidhjeve dhe krijimin e bashkëpunimeve konkrete në fusha me interes të përbashkët.
“Ky është hapi i parë drejt një partneriteti zyrtar dhe afatgjatë, që do ta ndërtojmë, përmes të cilit do të krijojmë mundësi konkrete për shkëmbime kulturore e sportive, bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe ndarje të përvojave në fusha me interes të përbashkët”, tha kryetari Aliu, duke falënderuar kryetarin Besiri për ftesën, mikpritjen dhe gatishmërinë për ta çuar përpara këtë nismë.
Ai theksoi gjithashtu se ky partneritet pritet të hapë mundësi të reja për qytetarët e Shtimes, veçanërisht për të rinjtë, sportistët dhe komunitetin kulturor.
“Është kënaqësi e veçantë që përmes njohjeve dhe bashkëpunimeve po e bëjmë të mundur për Shtimen t’i zgjerojmë lidhjet përtej kufijve, duke i kthyer miqësitë në bashkëpunime konkrete dhe mundësi të reja për qytetarët tanë”, u shpreh Aliu.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Frankfurt, Gëzim Gashi, si dhe kryetari i Komitetit të Partneritetit, Serge Antony.
Kjo nismë përbën një mundësi të rëndësishme për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy komunave, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e bashkëpunimeve që do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët e të dyja vendeve.