Shtime, 3 tetor 2026- Shtimja dje u mbush me ngjyra, ritme, traditë dhe kulturë nga e gjithë bota, me nisjen e edicionit të III të FOLK FEST, tashmë një ngjarje tradicionale dhe e shumëpritur për qytetin tonë.
Para fillimit të defilimit, Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, së bashku me bashkëpunëtorë, takoi ansamblet pjesëmarrëse, duke u uruar mirëseardhje në Shtime.
Risi e këtij edicioni ishte pjesëmarrja e ansambleve nga Sllovenia, Qiproja e Veriut, Republika Çeke, Turqia dhe Sllovakia, të cilat i dhanë festivalit një dimension edhe më ndërkombëtar.
“Jam i nderuar, si kryetar i Komunës së Shtimes, t’i takoj personalisht ansamblet nga Sllovenia, Qiproja e Veriut, Republika Çeke, Turqia dhe Sllovakia, para defilimit dhe t’ju uroj mirëseardhjen në komunën tonë”, tha kryetari Aliu.
Me këtë rast, kryetari Aliu dhe drejtori i Ansamblit “Ilirida”, Besnik Brahimi, u ndanë ansambleve pjesëmarrëse mirënjohje për pjesëmarrjen e tyre në këtë festival.
Më pas, rrugët e qytetit u kthyen në një skenë të madhe të folklorit. Ansamblet pjesëmarrëse, së bashku me kryetarin Aliu, nënkryetarin Adnan Ademi, drejtoreshën e Kulturës Sanie Sadiku, drejtuesit e ansambleve dhe dashamirët e shumtë të kulturës, parakaluan në rrugën kryesore të qytetit.
Për më shumë se një orë, Shtimja frymoi me folklor, traditë, këngë, valle dhe ritme të ndryshme, duke sjellë në zemër të qytetit tonë kulturat e vendeve të ndryshme dhe duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme festive.
Por festa nuk u ndal këtu. Në orën 18:00, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, nisi zyrtarisht nata e parë e FOLK FEST-it. Kjo mbrëmje iu kushtua ansambleve ndërkombëtare nga Sllovenia, Qiproja e Veriut, Republika Çeke, Turqia dhe Sllovakia, të cilat përmes këngës, vallëzimit dhe veshjeve tradicionale sollën para publikut shtimjan ngjyrat dhe kulturën e vendeve të tyre.
Salla e mbushur përplot dhe duartrokitjet e pandërprera dëshmuan edhe një herë dashurinë e qytetarëve të Shtimes për kulturën, folklorin dhe artin. Atmosfera e krijuar nga ansamblet pjesëmarrëse e bëri natën e parë të festivalit një festë të vërtetë të kulturave dhe traditave.
E festa vazhdon edhe sonte! Nga ora 18:00, Shtëpia e Kulturës në Shtime hap sërish dyert për natën e dytë të FOLK FEST-it, e cila do të sjellë në skenë ansamble nga trevat shqiptare.
Sonte do të frymojmë shqip, me këngën, vallen, veshjet dhe traditën tonë shqiptare!
Ju mirëpresim të gjithëve në Shtëpinë e Kulturës, për ta vazhduar së bashku festën e madhe të folklorit!
FOLK FEST III, nga bota te trevat shqiptare.