Shtime, 8 maj 2026- Në oborrin e Shkollës së mesme të ulët “Emin Duraku” u mbajt aktiviteti tashmë tradicional “Sofra shkollore”, i cili tashmë është shndërruar në një ngjarje që bashkon nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit në frymën e bashkëpunimit dhe solidaritetit.
Gjatë këtij organizimi, nxënësit kishin përgatitur ushqime tradicionale dhe produkte të ndryshme, të cilat iu ofruan vizitorëve dhe mysafirëve simbolikisht në këmbim të donacioneve.
Të hyrat e siguruara nga ky aktivitet do të shfrytëzohen për nevojat e shkollës, duke dëshmuar kështu rëndësinë e angazhimit të përbashkët për krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, shefi i sektorit të arsimit në Shtime, Lulzim Sahiti, si dhe përfaqësues institucional, mësimdhënës e prindër të nxënësve.
Aktivitetin e hapi drejtoresha e shkollës, Albiona Ahmeti, e cila falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe përkushtimin e treguar në organizimin e kësaj nisme tradicionale. Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit, të cilët me angazhimin e tyre po e mbajnë gjallë këtë aktivitet me vlera edukative dhe shoqërore.
Ndërkaq, nënkryetari Adnan Ademi vlerësoi organizimin dhe përkushtimin e nxënësve, duke theksuar se aktivitete të tilla forcojnë bashkëpunimin si dhe përcjellin mesazhe pozitive për solidaritet dhe humanizëm.
Në përmbyllje të aktivitetit, nxënësit e shkollës “Emin Duraku” prezantuan edhe një program kulturo-artistik, i cili i dha një atmosferë të veçantë këtij organizimi tradicional.