Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, në emër të Komunës së Shtimes dhe institucioneve komunale, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Halili, me rastin e ndarjes nga jeta të Veteranit e Invalidit të UÇK-së, Ismet Metush Halili nga fshati Llanisht.
E nderuara familje Halili,
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të të dashurit tuaj, veteranit dhe invalidit të UÇK-së, Ismet Metush Halili, nga fshati Llanisht.
Jeta dhe vepra e Ismet Halilit janë të lidhura ngushtë me sakrificën dhe përkushtimin për lirinë e Kosovës. Ai ishte pjesë e Brigadës 60-të “Kumanova”, Njësia V.D., pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ku shërbeu me përkushtim deri në përfundimin e luftës dhe çlirimin e vendit.
Më 10 maj 1999, në Llanisht, Ismet Halili u plagos në luftën për liri. Plagët e marra në luftë i mbajti me krenari gjatë gjithë jetës, duke mbetur dëshmi e sakrificës së tij dhe të brezit që u vu në shërbim të lirisë së Kosovës.
Kontributi i tij do të kujtohet gjithmonë me nderim e respekt, ndërsa emri i tij do të mbetet pjesë e historisë së sakrificës për liri.
U prehsh në paqe, çlirimtar Ismet Halili!
Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
Dr. Qemajl Aliu
Kryetar i Komunës së Shtimes