Shtime, 3 gusht 2026- Në vazhdën e aktiviteteve “Ditët e bashkatdhetarëve”, të organizuara nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, në fushën sportive “Arbëri” në Reçak u zhvillua turniri miqësor i futbollit, i organizuar nga Veteranët e Futbollit të Shtimes, me mbështetjen e Komunës së Shtimes.
Ky aktivitet sportiv mblodhi veteranë të futbollit, sportdashës dhe qytetarë, duke dëshmuar se sporti vazhdon të jetë një urë që bashkon breza, forcon miqësinë dhe promovon vlerat e respektit e të bashkëpunimit.
Përmes organizimeve të tilla, synohet jo vetëm promovimi i aktiviteteve sportive, por edhe krijimi i hapësirave ku bashkatdhetarët dhe qytetarët takohen, rikujtojnë vlerat e përbashkëta dhe kontribuojnë në forcimin e lidhjeve me vendlindjen.