Shtime, 29 shtator 2026- Është mbajtur Mbledhja e IX e rregullt e Kuvendit të Komunës së Shtimes, e udhëhequr nga Kryesuesi i Kuvendit, Rrahman Jakupi. Në mbledhje mori pjesë edhe Nënkryetari i Komunës, Adnan Ademi, si dhe drejtorë të drejtorive të ekzekutivit të Komunës së Shtimes.
Mbledhja filloi me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së kaluar, ndërsa më pas vijoi me pikën: Pyetje dhe Përgjigje.
Një ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishte shqyrtimi i Draft-Buxhetit të Komunës së Shtimes për vitin 2027, pas përfundimit të procesit të diskutimit publik. Pas dakordimit të shefave të grupeve parlamentare, u vendos që Draft-Buxheti të shqyrtohet dhe diskutohet në këtë mbledhje, ndërsa votimi përfundimtar i buxhetit të bëhet në mbledhjen e radhës të kuvendit, pas dërgimit të materialit të plotë për shqyrtim.
Në këtë seancë u prezantua edhe informata nga Drejtoria e Shërbimeve Publike për menaxhimin e mbeturinave dhe furnizimin me ujë në Komunën e Shtimes, të cilën e paraqiti drejtori i kësaj drejtorie, Halil Kurtishi.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Besnik Ahmeti, raportoi para anëtarëve të Kuvendit edhe për Raportin periodik për zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2025.
Ndërkohë, Draft-Plani për Vlerësimin e Rreziqeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera për Komunën e Shtimes u miratua unanimisht për t’u dërguar në diskutim publik. Përmes këtij procesi, qytetarët dhe palët e interesuara do të kenë mundësi të paraqesin vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e tyre.