Shtime, 15 korrik 2026- Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, mirëpriti në një takim veprimtarin e çështjes kombëtare dhe deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Avni Deharin.
Gjatë vizitës, z.Dehari dhuroi mbi 60 ekzemplarë librash për fëmijë dhe të rritur për Bibliotekën e Qytetit, duke kontribuar në pasurimin e fondit të bibliotekës dhe promovimin e kulturës së leximit.
Një pjesë tjetër e botimeve u dedikua edhe bibliotekave të shkollave fillore të Komunës së Shtimes, me qëllim që nxënësit të kenë qasje më të lehtë në literaturë cilësore dhe të kultivojnë shprehinë e leximit.
Gjatë kësaj vizite, Kryetari Aliu dhe z. Dehari vizituan Bibliotekën e Qytetit, ku u njohën nga afër me fondin e bibliotekës dhe rëndësinë e pasurimit të tij.
Kryetari Aliu, e falënderoi z. Dehari për vizitën dhe kontributin e tij.
“Falënderoj z. Avni Dehari për vizitën dhe për dhurimin e këtyre librave me vlerë, të cilët do të pasurojnë fondin e bibliotekës sonë qytetare dhe të bibliotekave shkollore. Ky kontribut është një investim në dijen, kulturën e leximit dhe edukimin e brezave të rinj, për çka i jemi mirënjohës”, tha kryetari Aliu.
Me këtë rast, Dehari i dhuroi kryetarit edhe botimet e tij më të fundit me dedikim.
Avni Dehari është autor i më shumë se 30 librave për fëmijë dhe i veprave që trajtojnë historinë dhe vlerat kombëtare, e gjithashtu vazhdon të japë një kontribut të çmuar në fushën e letërsisë dhe publicistikës shqiptare.
Në këtë vizitë, Avni Dehari shoqërohej nga bashkëveprimtari i tij dhe ish-i burgosuri politik, Fadil Uka.