Shtime, 4 nëntor 2026- Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Salihu-Qeriqi, së bashku me drejtorin e Qendrës për Punë Sociale, Adem Ramadani dhe zyrtaren Bukurije Xhemajli, kanë vizituar familjarët e dëshmorëve dhe veteranët e luftës, të cilët aktualisht po qëndrojnë për rehabilitim në Banjën “Nëna Naile”.
Kjo vizitë është realizuar në kuadër të aktiviteteve të Komunës së Shtimes, të organizuara në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për sakrificën e dëshmorëve dhe kontributin e veteranëve të luftës.
Me këtë rast, drejtoresha Salihu-Qeriqi theksoi se kjo vizitë shpreh përkushtimin e institucioneve komunale për të qëndruar pranë familjeve që kanë dhënë më të shtrenjtën për vendin, duke ofruar mbështetje morale dhe kujdes të vazhdueshëm për mirëqenien e tyre.
“Është obligim dhe përgjegjësi e jona që të jemi pranë familjarëve të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës, duke u shprehur respektin dhe mirënjohjen tonë për sakrificën dhe kontributin e tyre për vendin. Kujdesi dhe mbështetja ndaj tyre duhet të jenë të vazhdueshme”, tha drejtoresha Salihu-Qeriqi.